Lajme dhe Lajmerim

07/09/2017
Dita e 4-të në Korab – Koritnik

Gjatë këtyre 3 viteve në të cilët Projekti NaturAL po vepron, janë ndërmarrë një sërë ekspeditash shkencore me qëllim përcaktimin e siteve të mundshme për tu përfshirë në rrjetin Natura 2000. Këto ekspedita kanë pasur në fokus zbulimin e llojeve të florës dhe faunës si dhe habitatet e rëndësishme të cilat strehojnë këto lloje. Referuar 5 zonave primare dhe sekondare të shpërndara nga veriu në jug, këto ekspedita në logjistikën e tyre kanë patur të përcaktuar edhe trajnimin në terren të një pjese të stafit të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Ekspedita e kësaj radhe e grupit të zoologëve të cilës iu bashkova u organizua në datat 01 – 04 Gusht 2017 në Parkun Natyror të Korab – Koritnikut. Dita e parë e ekspeditës filloi me një vrojtim të një pjese të parkut në afërsi të fshatit Rabdisht. Temperaturat tepër të larta nuk të krijonin shumë pritshmëri për të parë shumë lloje. Gjatë gjithë rrugës shihej një skenar i luftës për ujë, një rrjet tubacionesh i krijuar nga secila prej familjeve të fshatit afër. Gjithçka rreth tubacioneve ishte zhytyr në thatësirë. Në krahun tonë të djathtë vërehej një kanal i një përroi të dikurshëm, por i tharë tanimë. Në sfond dëgjohej thirrja e grifshës e fshehur në pjesën e pyllit përballë. Do duhej të ecnim disa km për të parë vetëm disa feçe të lepurit të murrmë (Lepus europaeus). Në muzg duke u kthyer pamë disa gjurmë të ariut të murrmë (Ursus arctos) që me shumë mundësi ishin të të voglit. Jo keq për kushtet thuajse në nivele të mbijeteses për këto lloje.

Dita e dytë konsistonte në vendosjen e kurtheve Sherman në vendet e përcaktuara në një ditë më parë, për të monitoruar praninë e gjumashit të lajthive (Muscardinus avellanarius) dhe gjumashi i majmë i pyjeve (Glis glis). Kurthet u vendosën në mënyrë të tillë që të mbulonin të gjithë zonën me interes dhe të ishin sa më pak të dukshëm. Në brendësi vendosej pak ushqim i cili përmbante gjalp kikiriku, fara të ndryshme në mënyrë që të tërhiqnin llojet e interesuara. Në një monitorim edhe të zonës përreth u vërejt edhe prania e gjitarëve të mëdhenj si: ujku, ariu, kaprolli, dhelpra.

Gjatë ditës së tretë ekspedita jonë u përqëndrua në pjesën e parë të saj në një udhëtim drejt Liqenit të Gramës në Malin e Korabit. Rruga që të çonte ishte e prishur dhe gjatë saj gjetëm dhe disa feçe të dhelprës (Vulpes vulpes) si dhe dëgjuam thirrjet e disa lloje të rëndësishëm shpendësh. Peizazhi të ofronte pamje të paanë të kullotave dhe bagëtive që veronin në afërsi të liqenit të Gramës. Përballë shihej tymi që dilte nga pylli i vjetër i pishave. Ishte e pashmangshme të shihje edhe një numër të konsiderueshëm mbetjesh të lëna tek – tuk nga turistë të ardhur në zonë. Zona përreth liqenit të Gramës ishte një zonë ligatinore e cila në një sipërfaqe tepër të vogël ofronte habitate për disa lloje surprizuese si: Triturus alpestris, Rana ridibunda, Bombina variegata në faza të ndryshme të zhvillimit të tyre. Gjithë zona ofronte habitate të rëndësishme për disa lloje amfibësh dhe reptilësh. Nga ana tjetër ishte çudi prania e dallëndysheve në atë lartësi, por kjo lidhej me temperaturat e larta të atyre ditëve që shkonin deri në 38 gradë në rreth 1800 m si dhe me praninë e një numri të lartë insektesh sidomos karkalecash. Në pjesën e dytë të ditës u zhvendosëm drejt kurtheve të Sherman-it për të parë praninë e mundshme të gjumashit të majmë të pyjeve dhe atij të lajthive. Pas monitorimit të kurtheve shtuam përsëri ushqim në to dhe i rivendosëm për ti rikontrolluar ditën e nesërme. Ajo çfarë u vërejt ishte se vizitorët më të shpeshtë të kurtheve ishte zhapiku i gjelbër, për shkak edhe të përshtatshmërive fiziologjike që kanë zvarranikët ndaj kushteve të tilla ekstreme në ndryshim nga gjitarët të cilët e kanë më të vështirë.

Kjo do të ishin disa ditë ekspedite të treguara në një narracion shumë të thjeshtë. Ditë të tilla mbartin orë e orë të tëra punë, analiza të përkthyera më pas në raporte të cilat udhëzojnë praktika dhe politika të cilat do të sigurojnë vazhdueshmërinë e ruajtjes së natyrës dhe më tej ruajtjen e këtyre standardeve të përputhshme me direktivat e BE dhe konventave ndërkombëtare. Por përtej gjithë procedurave dhe përmbushjes të qëllimeve apo detyrave të gjithsecilit, qëndron pyetja e pashmangshme; Sa arrihet të kuptohet rëndësia e Zonave të Mbrojtura? Ndërsa grupi i zoologëve vendoste kurthet për të kampionuar gjitarët e vegjël, diku më sipër ndihej një motosharrë, ndoshta një ndër arsyet përse mjedisi përreth thërriste për vëmendje. Këta banorë të harruar nga kushdo i cili mund të ishte kujtuar për ata, e shohin mjedisin dhe natyrën përreth tyre në pronësinë e diçkaje të cilën mund ta shfrytëzojnë, jo si diçka që mund ta mbrojnë. Punonjësi i AdZM i afrohet duke i thënë: “-Si je? A je lodh? Këtu jeni në një zonë të mbrojtur, nuk mund të prisni pemë!”. Fytyra e banorit ishte e vrazhdë dhe me shpërfilljen më të madhe tipike e një njeriu që s’ka asgjë për të humbur përgjigjet: “- Jam në zabel temin, ma ka ble baba me flori, e baj ça du”. 

Nga ana tjetër flakët përpinin pishat disavjeçare, dhe dukej se lufta me “Trashëgimtarët e Zabeleve” do të ishte e gjatë, dhe ajo sapo kishte nisur.

Artenisa Peçulaj

Gallery

 


Lajmet e fundit

01/05/2019

Llogara-Karaburun-Orikum-Mali Çika – Një model për rrjetin Natura 2000 në Shqipëri

Gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, vendet që aspirojnë anëtarësimin si Shqipëria, duhet të bëjnë pjesë të legjislacionit të tyre kombëtar kërkesat e Direktivave të Zogjve dhe Habitateve, 2 direktivat themelore të Rrjetit Natura 2000. Ky proces ka nisur në Shqipëri nga projekti NaturAl përmes takimeve konsultative dhe worshopeve me...

Lexo më shumë


17/04/2019

Publikohet Atlasi - Lakuriqët e Natës të Shqipërisë

Me mbështetjen e projektit të finanuar nga BE-ja NaturAl dhe nën udhëheqjen e Philippe Théou, rejnxhërsat dhe ekspertët e Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura monitoruan llojet e lakuriqëve që ekzistojnë në zonat e mbrojtura për vite me radhë, për ti njohur më mirë dhe për të menaxhuar më mirë habitatet e tyre. Atlasi i ri i publikuar:...

Lexo më shumë


17/04/2019

DREJT RREJTIT NATURA 2000 NE SHQIPËRI

Natura 2000 është dokumenti themelor i politikave të BE-së për natyrën – rrjeti më i madh i zonave të mbrojtura në botë. Në Shqipëri rrejti kombëtar i zonave të mbrojtura mbulon 18% të sipërfaqes së territorit. Edhe pse në një rritje të qëndrueshme, sistemi Shqiptar i zonave të mbrojtura përballet me sfida të shumta dhe...

Lexo më shumë


25/03/2019

Qendra e Vizitorëve në Malin e Dajtit – një tjetër gurthemeli për Zonat e Mbrojtura të Shqipërisë

Një qendër e re vizitorësh mikpret turistët në “Ballkonin Natyror të Tiranës”, një nga destinacionet më të preferuara për këdo që viziton Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë. “Ruajtja e burimeve natyrore dhe rritja e ndërgjegjësimit mbi biodiversitetin e Shqipërisë është thelbësore për zhvillimin e një modeli dhe kulture...

Lexo më shumë


25/01/2019

Promovojmë bashkëjetesën e banorëve me natyrën dhe zhvillimin e turizmit me mbrojtjen e natyrëës

Qendra e rinovuar e vizitorëve në Parkun Kombëtar të Llogarasë hap dyert sot për të mikpritur turistët dhe të apasionuarit pas natyrës. Investimi i Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes projektit NaturAL “Forcimi i Kapaciteteve kombëtare në mbrojtjen e natyrës - përgatitja për rrjetin Natura 2000” e ka transformuar Qendrën e Vizitorëve në...

Lexo më shumë


16/01/2019

#AlbanianWetlands Konkurs fotografie

Ky konkurs organizohet përmes faqes së projektit NaturAL në Facebook (@NaturaAlbania) nga data 16 deri 27 janar 2019. Bëhuni pjesë e këtij konkursi dhe postoni një foto nga Shqipëria në Facebook një prej kategorive: 1. Shpendët e ujit, 2. Ligatinat, 3. Rreziqet që kërcënojnë ligatinat. Bëjini tag #AlbanianWetlands, #KeepWetlands dhe #IWP019 dhe @NaturaAlbania të...

Lexo më shumë


NaturAL

IPA 2013 - Natura 2000 dhe Zonat e Mbojtura
Torre Drin, Kati i 5-të
Tiranë, Shqipëri
Tel: +35542240880/1/2/3
info@natura.al