Lajme dhe Lajmerim

10/04/2017
Kur natyra lulëzon!

Një intervistë me Michele De Sanctis, Departamenti i Biologjisë së Mjedisit, Universiteti Sapienza, Romë

Me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, përmes projektit NaturAL, rejnxhërsat, specialistët e monitorimit të Administratave të Zonave të Mbrojtura po mësojnë rreth kërkimit shkencor në fushën e botanikës. Ata po udhëhiqen nga një skuadër ekspertësh, një prej të cilëve është Michele de Sanctis nga Departamenti i Biologjisë së Mjedisit, Universiteti Sapienza në Romë.

Patëm kënaqësinë të takonim Mikelen dhe të mësonim më shumë rreth punës së tij.

A mund të na tregoni diçka rreth punës në terren të një botanisti? Cili është fokusi juaj?

Puna jonë në terren kushtëzohet gjithmonë nga periudha e lulëzimit, duke qenë se është pikërisht kjo periudha kur ne mbledhim të dhënat. Në Shqipëri, periudha e lulëzimit zgjat nga Prilli në Shtator, dhe ne përdorim ditët e qeta të Tetorit për të analizuar dhe për të skeduar të dhënat e grumbulluara. Objektivat tona konsistojnë në:

  • Përgatitjen e hartës së vegjetacionit, 
  • Identifikimin dhe hartëzimin e habitateve të rëndësishme, kryesisht ato të listuara në Direktivën e Habitateve (92/43/EEC) duke qenë se kanë një rëndësi të madhe për biodiversitetin në Evropë. Ne gjithashtu i kushtojmë rëndësi habitateve me bimësinë tipike të Shqipërisë – të pasur me lloje të rëndësishme apo që kanë rëndësi për shkak të shpërndarjes së vogël, dhe
  • Identifikimin dhe gjeoreferencimin e llojeve të rëndësishme. Ne fokusohemi tek ato që kanë rëndësi botërore (të listuara në Listën e Kuqe të IUCN apo në Direktivën e Habitateve), llojet e rralla në Shqipëri janë ato të cilat kanë një përhapje të kufizuar (endemike, subendemike, llojet e Ballkanit), llojet aliene që përfaqësojnë një rrezik për ruajtjen e natyrës apo ato që kanë rëndësi për ekonominë lokale.

Çfarë mund të thoni rreth florës dhe faunës së zonave të mbrojtura të Shqipërisë?

Sipas mendimit tim, të gjitha zonat e mbrojtura janë jashtëzakonisht të rëndësishme kur vjen fjala tek flora dhe vegjetacioni. Ato strehojnë një numër të lartë llojesh dhe habitatesh të rëndësishme, shumë të ndryshme nga secili vend, dhe jam i lumtur për mundësinë e studimit të tyre.

Rezultatet e kërkimit tonë deri tani tregojnë se Parku Kombëtar “Mali i Tomorrit” është ndoshta zona e mbrojtur më magjepsëse kur vjen fjala tek flora, duke qenë se brenda tij strehohen disa lloje steno-endemike. Llojet endemike janë ato të cilat rriten vetëm në Shqipëri, ndërsa ato steno – endemike gjenden vetëm në një zonë të kufizuar në Shqipëri. Për shembull, krokusi (Crocus tomoricus) dhe Arithe e Autranit (Astragalus autranii) rriten vetëm në këto male. Një botanist i shquar Italian Antonio Baldacci ka mbledhur dhe i ka përshkruar ato më shumë se një shekull më parë. Se fundmi, këto janë rizbuluar nga kolegët botanist shqiptar të përfshirë në projekt (Hoda P., Mahmutaj E., dhe Shuka L.).

      

 

Foto nga IUCN/M. de Sanctis: Crocus tomoricus (në të majtë) dhe Campanula aureliana (në të djathtë)

Një hartëzim dhe monitorim i plotë për popullatat e tyre ka ende nevojë për tu përmbyllur. Ne jemi duke punuar në lokalizimin e popullatave të lulekëmbanës shkëlqyese (Campanula aureliana), një lloj i ri i gjetur një vit më parë nga Prof. Shuka dhe kolegët kroatë dhe italianë. Parku Kombëtar “Mali i Tomorrit” strehon gjithashtu një habitat shumë interesant dhe të rrallë të listuar në Direktivën e Habitateve – pyjet e rrobullit të kuq (Pinus heldreichii), një lloj relikt i periudhës së Terciarit. Origjina e tij e lashtë është qartësisht e dallueshme përmes vrojtimit të lëvores së tij të çuditshme e cila duket si një parzmore, të veshur dikur nga ushtria romake. Ky lloj mund të gjendet vetëm në lartësi të mëdha në malet e Ballkanit dhe Italisë së Jugut.

Habitate të tjera me interes në Parkun Kombëtar “Mali i Tomorrit” janë:

  • Zonat pyjore me venjë të bardhë (Juniperus foetidissima), zona të hapura të individëve të vetmuar të gërshetuar në mënyrë të çuditshme;
  • Bimësia kazmofite (që vendoset në shkëmbinjtë gëlqeror)e pasur me lloje të rralla me një përhapje të kufizuar (Saxifraga federici-augustii subsp. grisebachiana, Potentilla speciosa, Crepis baldaccii, Aubrieta gracilis, Ramonda serbica),dhe
  • Komunitetet që vendosen në rrëpira

Parku Natyror i Korab-Koritnik është zona e mbrojtur më e madhe që ne do të studiojmë dhe ndoshta më pak e njohura dhe më pak e arritshme por gjithashtu e pasur me lloje dhe habitate të rëndësishme. Kemi identifikuar disa popullata të llojeve të rëndësishme atje, siç është Crocus scardicus. Në Prill në lartësitë e mëdha (mbi 1800m) ai lulëzon në pjesë të ndryshme përmes mbulesës së fundit të borës, në shtresën homogjene të verdhë të bimëve që nuk kanë lulëzuar ende. Në lartësi të ulëta është një lloj tjetër Crocus: Crocus veluchensis i cili formon mbulesë të ngjashme me ngjyra të ndryshme. Mali gjithashtu strehon disa lloje të tjera të rëndësishme, siç është Achillea pindicola ssp. corabensis, Alkannas cardiac dhe Edraianthus montenegrinus. Disa nga habitatet më të veçanta që gjenden këtu janë ligatinat përgjatë rrjedhave të maleve të larta, në tokat e përmbytura me ujë që popullohen nga myshqet dhe disa lloje të vogla dhe të rralla të familjes cipërore siç është: presja e Davalit dhe presja e verdhë (Carex davalliana, Carex flava) dhe lloje të tjera të rëndësishme si Pinguicula e Ballkanit (Pinguicula balcanica) dhe Narteca e Sharrit (Narthecium scardicum).

Foto nga IUCN/M.de Sanctis: Crocus scardicus në Parkun Natyror Korab - Koritnik

Parku Natyror Liqeni i Shkodrës është padyshim me rëndësi shumë të madhe për florën dhe vegjetacionin ujor. Ekspedita në liqen gjatë muajve Prill dhe Maj është një mrekulli e vërtetë, dhe kam patur kënaqësinë që ta zhvilloj këtë ekspeditë me një nga ekspertët më të njohur të fushës, Prof. Lefter Kashta. Niveli i ujit në liqen ndryshon gjatë gjithë vitit. Në pranverë niveli i tij ngrihet, dhe mund të lundrosh mbi xunkthe, bimësia ripariane (breglumore) tërësisht e zhytyr, dhe komunitetet e tjera bimore, të japin ndjesinë sikur je duke fluturuar mbi to për shkak se uji është shumë i pastër. Në të njëjtën kohë, edhe pamja që shikon mbi ujë nuk është më pak e mrekullueshme, tapete të pafundme me zambakë të bardhë dhe të verdhë të ujit (Nymphaea alba dhe Nuphar lutea të dyja të kërcënuara sipas Listës së Kuqe të Shqipërisë) dhe lloje të tjera të rralla si arra e ujit (Trapa natans), Urticularia austalis, lapagreth (Hydrocharis morsus-ranae). Këto lloje i kam parë edhe në vende të tjera, po asnjëherë në abondancë të tillë!

Foto nga IUCN/M.deSanctis: Nymphea alba në Parkun Natyror Liqeni i Shkodrës

Edhe pse Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta është i famshëm për habitatet për shumë lloje shpendësh të rëndësishëm, siç është Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus), ky park ka rëndësi të madhe edhe për shumë habitate për lloje të florës. Këtu gjenden një numër i lartë i komunitetit të bimëve psamofile, nga bimësia njëvjeçare, dunat ranore të reja dhe dunat e stabilizuara me amofilën e ranishteve (Ammophila arenaria), tek dunat e hershme me komunitete bimore më të stabilizuara me dëllinjë (Juniperus sp.pl.) dhe dunat me pishë (Pinus sp. pl.). Mund të shihet abondancë e lartë edhe për habitatet tipike për kriporet – ato rrethojnë pjesën më të madhe të lagunës, dhe pyjet impresionuese aluviale të dominuara nga shelgu i bardhë (Salix alba), plepi i bardhë (Populus alba), frashëri i ujit (Fraxinus angustifolia) si dhe vërri (Alnus glutinosa), prania e të cilëve varet edhe nga lagështia e tokës. Këto habitate janë shumë të rralla në Europë, duke qenë se tokat në të cilat zhvillohen këto komunitete bimore, i kanë kthyer në toka bujqësore. Eksplorimi i lagunës me varkë na dha mundësinë të vërtetonim me sytë tanë statusin e ruajtjes së zonës. Këtu ne kemi patur mbështetjen e kolegëve tanë shqiptarë, Prof. Alfred Mullaj për florën dhe vegjetacionin tokësor dhe Prof. Lefter Kashta për bimësinë hidrofitike.

Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës – Dangëlli ofron peizazhe të mrekullueshme me kanione gëlqerorë të mbuluar nga makja përherë e blertë, ku ujërat e kristaltë rrjedhin përmes ujëvarave të mrekullueshme. Këtu mund të vërehen lloje të rralla dhe mjaft tërheqëse si mëllagjeri (Arbutus andrachne), sherebela e bardhë (Salvia candidissima), Centaurea zuicchariniana dhe Athamanta macedonica subsp. albanica. Emri i parkut ka ardhur për shkak të pranisë së habitateve të rëndësishme të Bredhit të Maqedonisë (Abies borisii-regis).

      

Foto nga IUCN/M.deSanctis: Viola albanica (në të majtë) dhe Aubrieta gracilis (në të djathtë) që gjenden në Parkun Kombëtar Mali i Tomorrit

Cilat janë pritshmëritë tuaja nga puna në terren?

Të dhënat e mbledhura na kanë mundësuar identifikimin e vlerave më të mëdha të çdo zone të mbrojtur, dhe këto të dhëna janë përdorur për të zhvilluar më tej protokollet e monitorimit për studimet në të ardhmen të statusit të tyre të ruajtjes dhe me qëllimin e parashikimit të veprimeve për përmirësimin e menaxhimit pë ruajtjen e statusit të tyre. Këtu i referohem vlerave natyrore të lartpërmendura, por gjithashtu shërbimeve të ekosistemeve me rëndësi të madhe për komunitetin e zonës, si turizmi, lëndët të ndryshme, kullotat për bagëtinë. Menaxhimi i zonave të mbrojtura do të thotë të gjesh ekuilibrin midis këtyre aktiviteteve dhe mbrojtjen e burimeve natyrore – duke siguruar atë që quhet zhvillimi i qëndrueshëm.

Në të njëjtën kohë ne patëm një trajnim me stafin e zonave të mbrojtura. Ata morën pjesë në punën tonë në terren, duke mësuar rreth mbledhjes së të dhënave dhe informacionin përkatës mjedisor. Arritjet pozitive përmes pjesëmarrjes aktive, interesit dhe përpjekjeve nga rejnxhërsat e AdZM-ve janë tashmë të dukshme. Ne ndërkohë jemi duke përgatitur protokollet e monitorimit për habitatet dhe llojet që rejnxhërsat do të kenë mundësi ti ndjekin në mënyrë të pavarur në të ardhmen. Për disa nga protokollet, bashkëpunimi midis administratorëve të zonave të mbrojtura dhe botanistëve është tashmë i vendosur. Ky lloj bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për menaxhimin e zonave të mbrojtura. Një nga rezultatet më të dukshme të projektit tonë është pikërisht vendosja e këtij bashkëpunimi, duke qenë se të gjitha aktivitetet e bëra dhe të planifikuara janë realizuar në sajë të bashkëpunimit nga ekspertët e fushës në Shqipëri dhe administratorët e zonave të mbrojtura.

 

Foto M.deSanctis: Trajnimi i stafit të AdZM në Shqipëri


Lajmet e fundit

01/05/2019

Llogara-Karaburun-Orikum-Mali Çika – Një model për rrjetin Natura 2000 në Shqipëri

Gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, vendet që aspirojnë anëtarësimin si Shqipëria, duhet të bëjnë pjesë të legjislacionit të tyre kombëtar kërkesat e Direktivave të Zogjve dhe Habitateve, 2 direktivat themelore të Rrjetit Natura 2000. Ky proces ka nisur në Shqipëri nga projekti NaturAl përmes takimeve konsultative dhe worshopeve me...

Lexo më shumë


17/04/2019

Publikohet Atlasi - Lakuriqët e Natës të Shqipërisë

Me mbështetjen e projektit të finanuar nga BE-ja NaturAl dhe nën udhëheqjen e Philippe Théou, rejnxhërsat dhe ekspertët e Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura monitoruan llojet e lakuriqëve që ekzistojnë në zonat e mbrojtura për vite me radhë, për ti njohur më mirë dhe për të menaxhuar më mirë habitatet e tyre. Atlasi i ri i publikuar:...

Lexo më shumë


17/04/2019

DREJT RREJTIT NATURA 2000 NE SHQIPËRI

Natura 2000 është dokumenti themelor i politikave të BE-së për natyrën – rrjeti më i madh i zonave të mbrojtura në botë. Në Shqipëri rrejti kombëtar i zonave të mbrojtura mbulon 18% të sipërfaqes së territorit. Edhe pse në një rritje të qëndrueshme, sistemi Shqiptar i zonave të mbrojtura përballet me sfida të shumta dhe...

Lexo më shumë


25/03/2019

Qendra e Vizitorëve në Malin e Dajtit – një tjetër gurthemeli për Zonat e Mbrojtura të Shqipërisë

Një qendër e re vizitorësh mikpret turistët në “Ballkonin Natyror të Tiranës”, një nga destinacionet më të preferuara për këdo që viziton Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë. “Ruajtja e burimeve natyrore dhe rritja e ndërgjegjësimit mbi biodiversitetin e Shqipërisë është thelbësore për zhvillimin e një modeli dhe kulture...

Lexo më shumë


25/01/2019

Promovojmë bashkëjetesën e banorëve me natyrën dhe zhvillimin e turizmit me mbrojtjen e natyrëës

Qendra e rinovuar e vizitorëve në Parkun Kombëtar të Llogarasë hap dyert sot për të mikpritur turistët dhe të apasionuarit pas natyrës. Investimi i Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes projektit NaturAL “Forcimi i Kapaciteteve kombëtare në mbrojtjen e natyrës - përgatitja për rrjetin Natura 2000” e ka transformuar Qendrën e Vizitorëve në...

Lexo më shumë


16/01/2019

#AlbanianWetlands Konkurs fotografie

Ky konkurs organizohet përmes faqes së projektit NaturAL në Facebook (@NaturaAlbania) nga data 16 deri 27 janar 2019. Bëhuni pjesë e këtij konkursi dhe postoni një foto nga Shqipëria në Facebook një prej kategorive: 1. Shpendët e ujit, 2. Ligatinat, 3. Rreziqet që kërcënojnë ligatinat. Bëjini tag #AlbanianWetlands, #KeepWetlands dhe #IWP019 dhe @NaturaAlbania të...

Lexo më shumë


NaturAL

IPA 2013 - Natura 2000 dhe Zonat e Mbojtura
Torre Drin, Kati i 5-të
Tiranë, Shqipëri
Tel: +35542240880/1/2/3
info@natura.al